Ish-ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj, i kërkoi Gjykatës së Posaçme të pushojë çështjen penale ndaj tij në dosjen “Sterilizimi”. Në seancën e parë të gjykimit në themel ish-ministri pretendoi se në rastin e tij gjykata ndodhet para gjësë së gjykuar.
Sipas tij, kontrata është hetuar nga Prokuroria e Tiranës pas nënshkrimit të saj, hetim që është pushuar. Duke ju referuar rikualifikimit të akuzës ndaj tij nga ajo e “shpërdorimit të detyrës” gjatë hetimit në atë të “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në shqyrtimin paraprak, Beqaj tha se akuza e re nuk i ishte komunikuar asnjëherë zyrtarisht.
“Prokuroria nuk e ka bërë saktësimin, tha ish-ministri. Nuk e ka bërë as në seancën e dhjetorit as në atë të 23 janarit. Nuk ka gjë të shkruar në vendi. Gjykimi im nuk është në kompetencën e kësaj gjykatë, pasi nuk ka akuzë. Unë nuk kam akuzë, nuk më është komunikuar”.
Ish-ministri ngriti dyshime se në vendimin paraprak ndaj tij kishte të dhëna të rreme dhe se në 15 raste citohej dispozita e “armëmbajtjes pa leje”, që nuk kishte asnjë lidhje me të.
Avokati i Beqajt, Ermal Yzeiraj, kërkoi që çështja të mos veçohej dhe të zgjidhej përmes gjykimit të zakonshëm.
Ndryshe vlerësuan të bashkëpandehurit e tjerë të çështjes, të cilët i qëndruan kërkesës për gjykim të shkurtuar dhe veçim të çështjes. Ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj tha se çështja ndaj tyre ishte e paragjykuar dhe debatuar në mënyrë folklorike, mediatike dhe politikë, por asnjëherë nuk ishte debatuar shkencërisht.
Me tej Rjepaj kërkoi edhe lirim nga qelia, përmes lehtësimit të masës “arrest në burg”, në të cilën qëndron prej gushtit 2023. Seanca e radhës ndaj 9 të pandehurve të dosjes “Sterilizimi” u caktua më 28 maj. (A2 Televizion)