Në seancën e radhës gjyqësore të dosjes “Sterilizimi”, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja ka reaguar publikisht për zhvillimet në këtë çështje, duke theksuar se ajo nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me koncesionin.
Beqaj po ashtu ka kërkuar pafajësinë, pasi pretendon se nuk ka lidhje me dosjen e “Sterilizimit”. Ai ka kontestuar edhe vendimin e 23 janarit 2025, duke thënë se përmban të dhëna dhe informacione të rreme.
Sipas ish-ministrit i njëjti fakt penal në dosjen e SPAK është hetuar nga Prokuroria e Tiranës dhe ky organ i akuzës e ka pushuar çështjen.
DËSHMIA E ILIR BEQAJT:
Sa i takon komunikimit publik, kjo nuk është çështja e Sterilizimit, as kontratë e Sterilizimit dhe as koncesion i Sterilizimit. Kjo nuk përmendet as në titullin e kontratës. Sterilizimi është vetëm një nga 6 komponentët e kontratës. Kjo është çështje e instrumenteve kirurgjikale.
E dyta, i referohen dosjes "Ilir Beqaj dhe të tjerët". Unë jam i fundit në kërkesën e gjykatës. Pse duhet të thuhet "Ilir Beqaj dhe të tjerët". Këta të tjerët i bie sikur janë këtu prej meje. Unë synoj pafajësinë dhe kjo është nominale.
Së treti, e kam për avokatin Maks Haxhia, si drejtues të dhomës së avokatisë. Avokati kryesisht i caktuar nga gjykata për dy javë tha se është i gatshëm për mbrojtjen, pa e lexuar dhe pa më takuar mua ndonjëherë. Unë i kam parë edhe komentet e Haxhiajt për SPAK-un. Do të doja të informohem nga gjykata, kur ka ardhur avokati kryesisht të njihet me dosjen time?
Vendimi i datës 23.01.2025 përmban të dhëna dhe informacione të rreme. Procedimi ndaj meje nuk duhet të kishte nisur, pasi i njëjti fakt penal është hetuar nga Prokuroria e Tiranës dhe ajo prokurori e ka pushuar çështjen.
Në vendimin e gjyqtares paraprake përmendet 15 herë neni i Kodit Penal, që flet për armëmbajtjen pa leje. Se ç'lidhje kam unë me këtë, nuk e di. Në faqen e parë të vendimit të 23 janarit, ka të dhëna të rreme. Mua nuk më është vënë në dispozicion asnjë akt që më komunikon akuzën e re.
Shqipëria nuk është vend i BE, por në tetor Shqipëria ka çelur grupkapitujt, ku pjesë është edhe procesi i rregullt ligjor. Duke qenë se nuk ka një akuzë të formuluar nga organi i akuzës kërkoj që ju ta pushoni që tani këtë çështje.
Nuk keni kompetencë të gjykoni një akuzë që nuk ekziston. Nuk ka akuzë. Nuk ma kanë komunikuar. Në 23 dhjetor, gjyqtarja paraprake ftoi prokurorinë të bëjë korrigjim sipas dispozitave.
Prokuroria ka pranuar farsën, por nuk e ka bërë saktësimin. Nuk e ka bërë as në seancën e dhjetorit dhe as atë të 23 janarit. Nuk ka gjë të shkruar me vendin. Unë kam transkriptin e seancës.
Madje, prokurorët thonë "ne nuk jemi dakord". Thonë që është e paparashikuar nga ligji. Nuk është në kompetencën e kësaj gjykate, pasi nuk ka akuzë. Unë nuk kam akuzë. Nuk më është komunikuar. Vendimi i 23 janarit 2025 duhet të deklarohet akt i pavlefshëm.
Nga avokati, unë nuk di që këto muaj SPAK të ketë ndërmarrë ndonjë veprim në kushtetuese, për një situatë të pa parashikuar në ligj. Unë do ju kërkoja, që ta ndërmerrni ju këtë veprim. Ndërpriteni çështjen dhe dërgojeni në kushtetuese.
Unë dua të di për çfarë të mbrohem. Unë duhet të mbrohem për "vjedhje" ndërkohë që nuk ka asnjë shifër vjedhjeje. Unë jam akuzuar veç për shpërdorim detyre. Jemi në cenim të sigurisë juridike. Është gjë e gjykuar kjo. 4 ditë pasi u firmos kontrata, një OPGJ referoi një material në prokurori për shkelje ligji nga funksionarë të Ministrisë së Shëndetësisë. Procedimi penal është pushuar. Prokurori i Tiranës i ka vlerësuar të gjitha veprimet dhe mosveprimet e mia. (A2 Televizion)