Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka nisur një hetim penal lidhur me dyshime për abuzim me detyrën dhe ndërtim të paligjshëm në qytetin e Belshit, të kryer në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 11 majit 2025.
Procedimi penal nr. 446 i vitit 2025 përfshin veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, “Ndërtimit të paligjshëm” dhe “Moskallëzimit të krimit”, parashikuar nga nenet 248, 328/a/4, 199/a/3 dhe 300 të Kodit Penal.
Hetimet nisën pas publikimit të një videoje në rrjetin social “Facebook” me titullin “Asfalt elektoral në Belsh”, publikuar nga kandidati i PD në Qarkun Elbasan, Dritan Cani. Në video shihet një kamion me logon e kompanisë “V.H” shpk duke shtruar asfalt.
Nga hetimet rezulton se punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Belsh dyshohet se kanë lejuar shtrimin e rrugëve pa projekt, në kundërshtim me ligjin, duke favorizuar kompaninë “V.H” shpk. Në këtë kuadër, janë sekuestruar dokumente dhe janë marrë deklarime nga persona që kanë dijeni për rastin.
Në datë 10 maj 2025, me urdhër të Prokurorisë, janë ndaluar katër persona: F.M., L.H., Dh.K. dhe B.H. Policia gjyqësore ka ekzekutuar ndalimin për dy prej tyre, ndërsa dy të tjerët janë shpallur në kërkim. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave përgjegjës. (A2 Televizion)