
Benet Beci, kreu i bashkisë së Shkodrës, ka reaguar me anë të një postimi në Facebook për aksidentin rrugor të së dielës ku mbeti i plagosur humoristi. Nexho Shabani
“Sonte, Nexho Shabani, Nexhoja i tavolinave, njeriu popullor që sjell humorin tipik shkodran kudo ku ulet, ka nevojë për lutjet tona. Pas një aksidenti të rëndë, gjendja e tij shëndetësore është e paqëndrueshme, ndërsa mjekët e Spitalit Rajonal të Shkodrës janë të angazhuar maksimalisht.
Le t’i jemi pranë me mendim të mirë dhe shpresë”, shkruan Beci.
Shabani është plagosur teksa po lëvizte me biçikletë mbrëmjen e së dielës në sheshin “Demokracia” në Shkodër.
Ai është përplasur nga një automjet teksa po lëvizte me biçikletë dhe është transportuar menjëherë drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës për mjekim të specializuar, shkruan A2 CNN.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, “rreth orës 20:05, në sheshin ‘Demokracia’, automjeti me drejtues shtetasin N. Xh., është përplasur me shtetasin N. Sh., i cili po lëvizte me biçikletë. Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar shtetasi N. Sh., i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, nën kujdesin e mjekëve”. (A2 Televizion)