Edvin Ndreu, drejtori i ri policisë në Vlorë, Hita tregon pse e shkarkoi Elidon Çelën: Dështoi të menaxhonte protestën në Zvërnec

Nga A2 CNN
1 Qershor 2026, 13:30 | Kronikë

“Dështoi të menaxhonte protestën në Zvërnec”. Këtë arsye dha drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita për shkarkimin e drejtorit të  policisë së Vlorës Elidon Çela. Në një konferencë për mediat pas takimit në komisariatin e Policisë së Vlorës, Hita prezantoi Edvin Ndreun si kreun e ri të policisë së këtij qarku.

“Sot kam zgjedhur të jem në Vlorë për të komunikuar nëpërmjet jush drejtpërdrejtë me qytetarët dhe opinionin publik mbi situatën e krijuar pas ngjarjes së datës 30 maj në Zvërnec si dhe për masat që policia e shtetit ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë për të garantuar ligjshmërinë, përgjegjshmërinë dhe standardet profesionale që qytetarët presin nga ne. Ngjarja e ndodhur, mënyra e menaxhimit të saj dhe informacioni i pasaktë i përcjellë publikisht kanë cenuar standardin që unë kërkoj nga policia e shtetit dhe besimin që qytetarët duhet të kenë tek institucioni ynë. Për këtë arsye ka marrë vendime të menjëhershme që në orët e para pas ngjarjes dhe janë nisur procese të plota hetimore dhe administrative për të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse. Po ashtu sot prezantova drejtorin e komanduar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, drejtues Edvin Ndreun, i cili do të ketë detyrën e rëndësishme të riorganizimit dhe forcimit të strukturave policore në qarkun e Vlorës në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve dhe zbatimit të ligjit”, u shpreh Hita.

Hita theksoi se ngjarjet në Zvërnec kanë cenuar standardin që ai kërkon nga policia e shtetit si edhe besimin e qytetarëve.

“Siç e dini, drejtori i Drejtorisë Vendore Policisë Vlorë u shkarkua dy ditë më parë për shkak të dështimit në menaxhimin e tubimit të datës 30 maj në Zvërnec, po edhe për informacionin e vërtetë e pavërtetë që u përçua publikisht për një qytetar që u morë forcërisht dhe u godit nga rojet e sigurisë private në kantier. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka nxjerrë të gjithë mësimet e duhura dhe mbi të gjitha dhe me të gjitha strukturat policore në varësi të saj duhet të identifikojë problematikat si dhe të bëjë propozimet përkatëse qoftë përmasa administrative të reja qoftë kandidatura të reja drejtuese në drejtori dhe komisariate sipas nevojave. Menaxhimi i strukturave, i situatave dhe problematikave nga ana e drejtuesve të drejtorive dhe komisariateve në varësi. Integriteti, transparenca dhe shërbimi ndaj qytetarëve janë elementë bazë të vlerësimit për ta, por dhe domosdoshmëri për të mos humbur besimin dhe mbështetjen e qytetarëve”, theksoi ai.

Sipas tij, policia u tregua e vonuar dhe jo profesionale në ndërhyrjen për të parandaluar marrjen me forcë të protestuesit, si dhe në identifikimin dhe arrestimin e personave përgjegjës për dhunën.

“I kërkoj Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë që të jetë sa më e hapur, sa më aktive dhe profesionale në shërbim të qytetarëve dhe në zbatim të ligjit dhe të mos përfaqësohet kurrsesi dhe në asnjë rast para publikut me dobësinë e papranueshme të tre ditëve më parë në Zvërnec, ku policia u shfaq e fjetur dhe jo profesionale duke mos ndërhyrë në kohë për të parandaluar marrjen me forcë të qytetarit apo duke mos identifikuar dhe arrestuar në kohë punonjësit që goditi me grusht qytetarin ku ajo trupë na turpëron të gjithëve”.

Hita bëri të ditur se menjëherë pas incidentit është ngritur një grup i posaçëm hetimor, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim disiplinor të plotë për zinxhirin drejtues të Policisë së Vlorës.

“Kam urdhëruar që prej pasdites së datës 30 maj të ngrihet një grup i posaçëm hetimor i cili do të hetojë të gjitha veprimet e kryera gjatë protestës si dhe kam urdhëruar drejtorinë e standardeve profesionale në policinë e shtetit e cila ka nisur menjëherë një hetim të plotë dhe thelluar disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të drejtorisë Vlorë. Por në funksion të nxjerrjes së përgjegjësive, në vijim të veprimeve administrative të kryera nga grupi i posaçëm i Departamentit për sigurinë publike për vlerësimin e zbatimit të përgjegjësive ligjore nga subjekti SHPSF Myrto Security 13A dhe SHPSF Major Security rezultoi se të dy subjektet janë konstatuar në shkelje. Për këto shkelje mora vendimin për heqjen e liçencave për të dy subjektet e SHPSF-ve private”.

Drejtori i Policisë kërkoi ndjesë publike për informacionin e pasaktë të dhënë fillimisht mbi ngjarjen, duke theksuar se besimi i qytetarëve është vlera më e rëndësishme për institucionin.

“I jam drejtuar qytetarëve me ndjesë publike për atë informacion të pasaktë, sepse besimi i publik publikut tek policia e shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast. Por dua ta përsëris dhe këtu sot atë ndjesë, sepse Vlora dhe vlonjatët meritojnë respektin tonë më të madh dhe në asnjë mënyrë atë që panë dhe përjetuan atë ditë. Nga ana tjetër dua të nënvizoj përsëri se policia e shtetit ka për detyrë ligjore të garantojë rendin dhe sigurinë e protestuesve të çfarëdo atyre, por po ashtu ka detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos