Ekstradohet nga SHBA, oficeri i shpallur në kërkim ndërkombëtar për korrupsion e nxjerrje të sekretit shtetëror

Nga A2 CNN
6 Mars 2025, 16:10 | Kronikë

Është arrestuar në SHBA një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar. 56-vjeçari Fatbardh Lala, oficer i Policisë Gjyqësore, ishte në kërkim në Shqipëri, për vepra penale në fushën e korrupsionit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror. Fatbardh Lala u ekstradua rreth orës 15:00 të ditës së sotme.

Urdhër arresti ndaj Lalës është dhënë nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për t’u përballur me akuzat dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Njoftimi i Policisë së Shtetit

Realizohet një tjetër operacion i suksesshëm ekstradimi, me partnerët ligjzbatues të SHBA-së.

Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në koordinim me Prokurorinë Speciale (SPAK) dhe Agjencinë Federale DSS/OCIU, prezente në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ka arritur të lokalizojë dhe arrestojë në Shtetet e Bashkuara, një shtetas shqiptar, në kërkim ndërkombëtar, me urdhër arresti nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për t’u përballur me akuzat dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Shtetasi shqiptar F. L., 56 vjeç,  ish-oficer i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ishte në kërkim në Shqipëri, për vepra penale në fushën e korrupsionit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror.

Shtetasi F. L. u ekstradua rreth orës 15:00 të ditës së sotme.

Ky operacion për lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e këtij shtetasi ka ardhur si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta disamujore, ndërmjet agjencive ligjzbatuese shqiptare dhe atyre amerikane.

Policia e Shtetit falënderon partnerët ndërkombëtarë të agjencive federale amerikane DSS dhe ICE-ERO, për të gjithë punën dhe përkushtimin maksimal në këtë operacion ekstradimi/deportimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos