
Atentati i ndodhur ndaj Gilmando Danit në zonën e Rinasit ka vënë në lëvizje edhe Policinë e Lezhës. Strukturat e rendit në këtë qark kanë ngritur pika kontrolli në disa akse kryesore rrugore, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve të mundshëm.
Burime nga policia bëjnë me dije se po verifikohet çdo automjet i dyshimtë që qarkullon në zonë, ndërsa janë përfshirë edhe shërbime të forcave operacionale.
Ndërkohë shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, në fshatin Halil, kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip “Toyota”, që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur në Rinas, shkruan A2 CNN.

Në automjet janë konstatuar 4 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje, 3 prej tyre kallashnikov dhe një pistoletë.
Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. (A2 Televizion)
