
Për atentatin mafioz të ndodhur rreth orës 15;00 në Rinas ku u ekzekutua me breshëri plumbash Gilmando Dani ka reaguar edhe deputeti demokrat Klevis Balliu. Në një postim video në rrjetet sociale Balliu shprehet se kjo ndodhi vetëm 10 minuta pas mbylljes së komisionit për sigurinë ku ministrja e Brendshme Albana Koçiu deklaroi se Shqipëria është vend i sigurt. Ai ngre pikëpyetje mbi sigurinë në vend dhe thekson se atentati mafioz ndodhi në zonën më të sigurt në Shqipëri.
“Vetëm 10 minuta pas mbylljes së Komisionit të Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes, ku opozita i kërkonte llogari ministres së Brendshme dhe kupolës së Policisë së Shtetit për mungesën e sigurisë në vend, ministrja, me përbuzje, deklaroi se Shqipëria është vendi më i sigurt dhe me një rritje të vazhdueshme të sigurisë.
Por menjëherë më pas ndodh një atentat mafioz në aeroportin e Rinasit, zonën që supozohet të jetë më e sigurta në Shqipëri.
Ky fakt tregon qartë se qeveria ka në plan të fshehë të vërtetën, sepse është bashkëpunëtore e drejtpërdrejtë me ata që kryejnë këto atentate, duke rrezikuar jetën e të gjithë shqiptarëve.
Kur aeroportet nuk janë të sigurta, kur shkollat nuk janë të sigurta, kur gjykatat nuk janë të sigurta — çfarë mbetet më?”, shprehet Balliu.
(A2 Televizion)
