U ekzekutua në Rinas sapo mbërriti nga Barcelona, kush është Gilmando Dani?

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2025, 15:58 | Kronikë

U ekzekutua në Rinas sapo mbërriti nga Barcelona, kush është

Gilmando Dani, një emër i njohur i botës së krimit në Shqipëri, u vra kwtw tw martw në një atentat mafioz pranë aeroportit të Rinasit. Ai po udhëtonte si pasagjer në një automjet kur persona ende të paidentifikuar hapën zjarr ndaj makinës, duke e lënë të vdekur në vend dhe duke plagosur rëndë shoferin e mjetit, Muçi Shaljani. Ngjarja ka tronditur opinionin publik, jo vetëm për faktin se është kryer pranë një prej pikave më të rëndësishme të transportit ajror në vend, por edhe për shkak të profilit kriminal të viktimës.

Gilmando Dani ishte pjesë e njohur e grupit të Emiljano Shullazit, një organizatë kriminale e përfshirë për vite me radhë në gjobëvënie, kërcënime dhe trafikim. Aktiviteti i tij i gjatë në botën e krimit e kishte vendosur shpesh në fokus të autoriteteve. Ai kishte qenë i kontrolluar disa herë për vepra të dyshuara penale, mes të cilave edhe pas masakrës së Durrësit në vitin 2009, ku u vranë katër efektivë policie nga Dritan Dajti. Atë kohë, policia kontrolloi banesën e tij për të verifikuar nëse Dani kishte qenë i pranishëm në zonën e ngjarjes, por më pas u sqarua se ai ndodhej në Tiranë.

Në vitet që pasuan, emri i Danit u shfaq vazhdimisht në dokumentet e policisë dhe prokurorisë. Në prill 2011 ai u shoqërua nga Policia e Tiranës pasi u gjend në vendin ku Shullazi pengoi një miting të Partisë Socialiste. Në fakt, precedenti i tij i parë i rëndësishëm daton në shkurt të vitit 2006, kur RENEA e arrestoi së bashku me Shullazin dhe një tjetër person, pasi ishte shpallur në kërkim për mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe kanosje. Aksioni i asaj kohe zbuloi një arsenal armësh dhe pajisjesh të sofistikuara, të cilat vërtetuan lidhjen e ngushtë të grupit me veprimtari kriminale të organizuara.

Në dhjetor 2021, Dani dhe anëtarë të tjerë të grupit të Shullazit u dënuan nga Gjykata e Apelit me gjithsej 55 vite burg për gjobëvënie dhe kërcënime. Vetë Dani u dënua me 12 vite heqje lirie, pasi gjykata e gjeti fajtor për shtrëngimin e biznesmenit Y.B. dhe për përfshirjen në kërcënimin e shtetasit J.Z. Megjithatë, në tetor 2024 ai u lirua nga burgu. Ai kishte shpëtuar më herët nga dy atentate, një në vitin 2011 dhe një tjetër në vitin 2015, çka e bënte të qartë se ai ishte prej kohësh një objektiv i grupeve rivale apo kundërshtarëve të tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos