Abuzimet tek AKSHI, mbi 40 mln euro, zbulohen pasuritë që “kyçi” SPAK

Nga Armand Bajrami
22 Prill 2026, 17:28 | Kronikë

52 pasuri të tundshme e të patundshme, me një vlerë mbi 40 milionë euro në total, janë vënë nën kyç nga SPAK. Ato dyshohet se i përkasin personave nën hetim për krijimin e një skeme kriminale, ku mes korrupsionit dhe dhunës, abuzohej me tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë dhe Informacionit, të njohur si AKSHI.

Me kërkesë të prokurorëve të posaçëm, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, Gjykata e Posaçme i vendosi nën sekuestro pasuritë, ku dominonin sipërfaqet e truallit, apartamentet, garazhet, automjetet luksoze, llogari bankare, por edhe një mjet lundues jaht.

Sipas SPAK, pjesën e luanit në pasuritë e sekuestruara e kishte biznesmeni i shpallur në kërkim prej muajit dhjetor nga SPAK, Ergys Agasi, me 27 prona të paluajtshme të bllokuara. Mes tyre sipërfaqe trualli deri në 27 mijë metër katrorë në Petrelë të Tiranës, vilë në një zonë rezidenciale, si edhe apartamente në Tiranë e Durrës. Biznesmenit tjetër në kërkim për të njëjtën dosje, Ermal Beqiri, iu sekuestruan 5 pasuri të paluajtshme, nga 13 në total, ku ishin edhe një truall në Palasë dhe një mjet lundrues jaht.

Ndërsa të akuzuarës Mirlinda Karçanaj, ish-drejtoreshë të AKSHI-t, iu sekuestruan 4 pasuri të patundshme, pjesë e të cilave një apartament në rrugën “Dervish Hima” në kryeqytet. Në dhjetor 2025 SPAK bindi gjykatën për masa sigurie ndaj Karçanajt, Agasit, Beqirit dhe 5 personave të tjerë, pas dyshimeve për disa vepra penale, përfshi “konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “heqja e paligjshme e lirisë”, “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “grup kriminal”.

Në vijim të hetimit, SPAK ka shtuar numrin e personave nën hetim, por edhe të veprave që i atribuon të dyshuarve. Kështu në shkurt 2026, si persona nën hetim janë regjistruar edhe emrat e Daniel Shimës, Arjola Koromanit, Emirton Sulitës dhe Gentian Likajt. Po ashtu, SPAK i ka ngarkuar mbi supe të dyshuarve Agasi e Beqiri “korrupsionin”, ndërsa Karçanajt, “korrupsionin” dhe “pastrimin e parave”.

Sipas SPAK, të dyshuarit, në formën e një grupi kriminal, janë përfshirë në një skemë të mirëorganizuar me qëllim kontrollimin e procedurave prokuruese të AKSHI-t, me qëllim krijimin e përfitimeve të padrejta materiale.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos