Teksa Gjykata e Apelit të Posaçëm është tërhequr në dhomë këshillimi për të marrë një vendim përfundimtar ndaj ankimit të Alfred Belerit, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës e së fundmi edhe europarlamentar grek, ka hapur një tjetër betejë në Gjykatën e Lartë.
Kjo gjykatë ka regjistruar rekursin e Belerit kundër një vendimi të SPAK për të mos hetuar një kallëzim të bërë prej tij.
Bëhet fjalë për vendimin e 3 gushtit 2023 të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për "mosfillim procedimi penal", për kallëzimin e bërë nga Beleri për "falsifikim të dokumenteve" dhe "shpërdorim të detyrës".
Në kallëzimin e bërë asokohe, kryebashkiaku i zgjedhur pretendonte falsifikim të dy akteve që ndodheshin në dosjen hetimore ndaj tij, dëshminë e penalitetit dhe regjistrin e procedimeve penale te Prokurorisë së Vlorës.
Vendimmarrjen e SPAK për të mos nisur hetim penal, Beleri kundërshtoi fillimisht në Gjykatën e Posaçme e në Apel dhe së fundmi në Gjykatën e Lartë.
Në shkallën e tretë të gjyqësorit Beleri kërkon shfuqizimin e vendimit të SPAK, urdhërimin e regjistrimit te procedimit penal dhe kryerjen e veprimeve hetimore përkatëse. Provat e falsifikuara në dosje dhe ato të pavlefshme ligjërisht u pretenduan nga Beleri edhe në seancën e së enjtes në Apelin e Posaçëm, ku kundërshtoi dënimin e Shkallës së Parë me 2 vjet burg për akuzën e "korrupsionit në zgjedhje".
Vendimi përfundimtar në Apel, që do të vendosë edhe për “fatin” e Belerit për pasur mundësi apo jo të marrë detyrën e kryebashkiakut të Himarës, do të shpallet me 25 qershor. (A2 Televizion)