Mediat italiane kanë hedhur hipotezën e një piste shqiptare lidhur me hetimet për atentatin ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci.
Sipas “La Repubblica”, hetuesit italianë janë përqendruar te 58-vjeçari Artur Shehu, sipërmarrës me origjinë nga Shqipëria, i konsideruar nga disa hetime si një figurë me peshë e krimit të organizuar shqiptar. Aktualisht, ai jeton në Shtetet e Bashkuara, ku është vendosur prej disa vitesh.
“La Repubblica” shkruan se Antimafia italiane ka marrë informacion nga Vlora, në jug të Shqipërisë, për mundësinë e përfshirjes së Shehut në shpërthimin e ndodhur më 16 tetor, në banesën e drejtuesit të emisionit “Report”.
Për momentin, bëhet fjalë për një hipotezë që kërkon ende verifikime dhe prova përfundimtare, por që po ndiqet me kujdes nga hetuesit italianë, të angazhuar prej ditësh për të rindërtuar çdo detaj të atentatit.
Sipas mediave italiane, motivi i mundshëm dyshohet të lidhet me emisionin e “Report” të datës 21 prill 2024, kushtuar projektit të qendrave për emigrantë që Italia po ndërton në Shqipëri, në Shëngjin dhe Gjadër, në kuadër të marrëveshjes mes qeverive të Romës dhe Tiranës.
Në programin e Rai Tre, 58-vjeçari shqiptar përshkruhet si një trafikant i rëndësishëm droge, i cituar më parë në hetime ndërkombëtare për lidhje të mundshme me Cosa Nostra dhe Sacra Corona Unita.
Emisioni i “Report” në atë kohë raportoi një rast të dhurimit të një sipërfaqeje prej 30 mijë metrash katrorë në bregdetin e Vlorës nga atë që e quajti narkotrafikanti Artur Shehu për gjeneralin në pension të Interpolit, Fabrizio Lisi, duke hedhur shumë hije dyshimi edhe mbi rolin e oficerëve dhe zyrtarëve italinë që kishin për detyrë të hetonin lidhjet mafioze mes dy shteteve.
Emri i Shehut nuk është i panjohur për shtypin ndërkombëtar. Në mars të vitit 2021, gazeta amerikane “Miami Herald” i kishte kushtuar atij një hetim të thelluar.
Antimafia italiane po verifikon edhe këtë profil ndërkombëtar, duke kërkuar përputhje mes informacionit të mbledhur në Shqipëri dhe lëvizjeve të 58-vjeçarit. Megjithatë, pistat mbi urdhëruesit e atentatit mbeten të shumta, duke pasur parasysh numrin e madh të hetimeve që “Report” ka zhvilluar ndër vite. Në këtë fazë, vëmendja e hetuesve duket se është përqendruar kryesisht tek disa sektorë të mafies shqiptare. (A2 Televizion)