Gjykata e Lartë ka vendosur të kthejë për rigjykim në Apelin e Posaçëm çështjen penale ndaj ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.
“Vendosi: Prishjen e vendimit nr.06, datë 13.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimin e çështjes për rigjykim në atë gjykatë, me tjetër trup gjykues”, thuhet në vendim.
Dedja në shtator të 2024 kërkoi pafajësinë e tij në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar shfuqizimin e dënimit të dhënë nga dy shkallët më të ulëta të gjyqësorit për “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.
Në shkallën e tretë Dedja kërkoi rrëzimin e vendimit të Apelit të Posaçëm të shkurtit 2024, që e dënoi me 6 muaj burg, dënim që u konvertua në 1 vit shërbim prove.
Dedja u vu nën akuzë nga SPAK pasi u shkarkua nga procesi i vetingut. Sipas SPAK, ai nuk kishte deklaruar një apartament në Durrës. Në vijimësi ish-kreu i Kushtetueses ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës. (A2 Televizion)