Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj do të vijojë të qëndrojë në qelinë e paraburgimit të burgut të Durrësit. Ky ishte vendimi që mori këtë të enjte treshja e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Albana Boksi, Sokol Binaj dhe Genti Shala, duke rrëzuar rekursin e mbrojtjes së Veliajt. Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e vijimit të masës së arrestit me burg të 24 shkurtit të Apelit të GJKKO-së. Në Apel Veliaj kishte kërkuar zëvendësimin e masës “arrest me burg” me një masë tjetër alternative kundrejt garancisë pasurore, ose masë detyrim paraqitjeje.
Rekursi i Veliajt për liri erdhi pas vendimit të Kolegjeve të Bashkuara që rishikoi praktikën e masës së arrestit me burg.
Kujtojmë që përveç këtij rekursi tashmë të rrëzuar, Gjykata Kushtetuese ka rikthyer në Gjykatën e Lartë një tjetër kërkesë për liri të Veliajt. Sipas Kushtetueses, Gjykata e Lartë do duhet të arsyetojë a është proporcionale masa “arrest me burg” në raport me pozicionin që ka si kryebashkiak. Për Kushtetuesen mbetet i paargumentuar nga Gjykata e Lartë edhe qëndrimi në kafaz në seancat gjyqësore.
Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK e dërgoi kërkesën për ta kaluar dosjen për gjykim vetëm 5 muaj më parë. SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, si korrupsion pasiv të kryer në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. (A2 Televizion)