Gjykata e Lartë vendosi të mos lirojë nga masa e sekuestros pasuritë e Jamarbër Malltezit dhe Argita Berishës, përkatësisht dhëndrit dhe vajzës së ish-kryeministrit, Sali Berisha. 25 pasuri të tyre, të tundshme e të patundshme, janë ngrirë nga Gjykatat e Posaçme me kërkesë të SPAK, për llogari të hetimit të privatizimit të ish-kompleksit sportive “Partizani”, dosje në të cilën Malltezi është i dyshuar për akuzën e “korrupsionit” dhe “pastrimit të parave”.
Në Gjykatën e Lartë bashkëshortët Malltezi kundërshtuan vendimin e 24 nëntorit të vitit të kaluar të Apelit të Posaçme, që bllokoi pasuritë e tyre, si të pa justifikuara në burime të ligjshme. Një Kolegj Penal i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj e Sandër Simoni vendosi të mos pranojë rekursin e bërë prej tyre, duke e lënë kështu në fuqi masën e sekuestros.
Pasuritë e “ngrira” të bashkëshortëve Malltezi janë një vilë në Gjirin e Lalëzit, disa apartamente, troje, 6 llogari bankare, por edhe përqindjet takuese të tij në disa shoqëri tregtare. Bllokimi i tyre u bë më 20 tetor të vitit të kaluar, pasi emri i Jamarbër Malltezit u regjistrua si person nën hetim në çështjen “Partizani”.
Për këtë hetim penal Malltezi fillimisht u arrestua dhe u la në “arrest në burg”, ndërsa më 21 nëntor masa ndaj tij u zbut në “arrest në shtëpi”. Sipas SPAK,Malltezi ka përfituar 5.4 milionë euro përmes përdorimit të funksionit publik të vjehrrit të tij kryeministër. (A2 Televizion)