Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e ish-ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të bërë një akt-ekspertim të ri financiar për llogari të gjykimit ndaj tij.
Ish-ministri i akuzuar për “shpërdorim të detyrës”, kërkoi riekspertim, pasi sipas tij, akt-ekspertimi që ndodhet në dosje, i vitit 2008, sipas të cilit procesi i demontimit të municioneve në Gërdec ka dëmtuar buxhetin e shtetit në miliona dollarë, është përpiluar nga ekspertë të palicensuar e të zgjedhur në kundërshtim me ligjin.
Sipas mbrojtësve të Mediut, 4 nga 5 ekspertët kanë qenë nëpunës shtetërorë dhe 2 nga të parët punonjës të Kontrollin e Lartë të Shtetit. Po sipas avokatëve, ekspertët kanë marrë kompetenca të gjykatës dhe prokurorisë.
“Në mënyrë cinike, pyetjet që i bëjnë ekspertëve, sikurse u pranua edhe nga gjykata dhe prokuroria, janë pyetje të karakterit juridik, pra ligjor, njohuri për të cilat eksperti i ekspertëve është gjyqësori.
Nuk pyet dot një ekspert financiar mbi zgjidhje të karakterit penal të çështjes. Përmes një deklarimi para gjykatës, por edhe jashtë saj, ish-ministri Mediu, kujtoi se pas ngjarjes dha dorëheqjen për përgjegjësi morale, por sipas tij, kjo nuk mund të keqpërdoret për t’iu shndërruar në një përndjekje penale për 17 vjet.
Çfarë lidhje ka dëmi ekonomik që pretendonin prokuroria me shpërthimin e Gërdecit, që vazhdojmë të flasim Gërdeci. Pse nuk pranojnë këta të bëjnë një akt ekspertimi. Pse duhet një proces i ndërtuar mbi një provë të falsifikuar?
Sepse duan të bëjnë një gjyq politik, duan të bëjnë gjueti shtrigash dhe padyshim duan koka turku. Kjo që kërkon SPAK në akuzë ndodh vetëm në juntat ushtarake, ku civilët janë nën varësinë e ushtarakëve.
Ish-ministri i kërkoi gjykatës të lejojë kamerat televizive në sallë, për të mundësuar një transmetim direkt të procesit.
Se mendoj që nëse shoh këto shkelje flagrante të ligjit, nga të dy palët, prokuroria dhe gjykata, dhe është një opinion i mbarsur me manipulim.
Besoj se është në të drejtë të opinioni të shohin drejt për drejt këtë debat gjyqësor. Në seancën e radhës, të caktuar më 29 maj, gjykata do të thërrasë 5 ekspertët që kanë kryer akt-ekspertimin ekonomiko-financiar, për tu ballafaquar dhe pyetur nga palët në proces.
(A2 Televizion)