Grabitja e dështuar, pronari italian qëllon me armë 3 ‘skifterët’ shqiptarë, njëri vdes pranë vilës

Nga A2 CNN
25 Qershor 2025, 18:03 | Kronikë

Grabitja e dështuar, pronari italian qëllon me armë 3

Trupi i një të riu shqiptar, i cili rezultonte i zhdukur që nga mbrëmja e së dielës, është gjetur pa jetë pranë një fushe sportive në lagjen San Severino të Centola-s, në një zonë bujqësore gjysmë e mbuluar me shkurre.

Viktima ishte përfshirë në një përpjekje të dyshuar për grabitje në zonën Foria, në shtëpinë e 60-vjeçarit Aurelio Valiante, i cili i qëlloi me armë autorët.

Sipas hetimeve, tre grabitës shqiptarë u përpoqën të hynin me forcë në dy shtëpi të ndryshme në Foria të dielën në mbrëmje, kur në një prej tyre hasën në pronarin e banesës që ishte i armatosur dhe qëlloi mbi ta pas një përleshje të dhunshme.

Një nga grabitësit vdiq nga plagët e marra, dy të tjerët u plagosën, me një prej tyre që ndodhet në gjendje kritike në spital në Napoli. I riu që rezultonte i zhdukur, u gjet sot i vdekur, duke i dhënë një kthesë të re hetimeve.

Zbulimi i trupit

Vendndodhjen e trupit thuhet se e tregoi vetë 60-vjeçari, pronari i shtëpisë, i cili ndodhet nën hetim. Trupi i të riut shqiptar, i cili ishte shpallur i zhdukur nga gruaja e tij, u njoh nga familjarët që mbërritën në vendngjarje.

Gruaja e viktimës kishte deklaruar më herët për policinë dhe median se burri i saj, pasi ishte plagosur, ishte "zvarritur" nga vendi i ngjarjes dhe që prej asaj kohe nuk kishte më asnjë lajm për të.

“Djali tjetër na tha se ishin qëlluar ndërsa po dilnin nga shtëpia. Burri im mbeti përtokë dhe u tërhoq më pas nga pronari. Tani duam vetëm të vërtetën”, ishte shprehur ajo.

Hetimet në zhvillim

Karabinierët dhe Zyra e Prokurorit Publik të Vallo della Lucania po punojnë për të rindërtuar me saktësi dinamikën e ngjarjes. Zbulimi i trupit mund të jetë vendimtar për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dramatike.

Tensioni po rritet mes familjes dhe miqve të viktimës, të cilët janë mbledhur pranë vendit ku u gjet djali. Mes lotëve dhe akuzave, është ngritur thirrja për “drejtësi për djalin”, ndërsa policia po përpiqet të ruajë qetësinë dhe rendin publik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos