Sherr mes 7 personave në Tiranë, qëllohet edhe me armë zjarri! Zbardhen detajet

Nga A2 CNN
25 Qershor 2025, 14:12 | Kronikë

Sherr mes 7 personave në Tiranë, qëllohet edhe me armë

Një konflikt i ashpër ka ndodhur ditën e djeshme në Institut, në Tiranë.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se në konflikt ishin përfshirë 7 shtetas, ku njëri prej tyre u arrestua në flagrancë, 2 të tjerë u proceduan në gjendje të lirë dhe 4 prej tyre u shpallën në kërkim.

Po ashtu bëhet me dije se në cilësinë e provave materiale, u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 3 automjete. 

Gjatë konfliktit është përdorur edhe arma e zjarrit dhe sende të tjera të forta, që për fatin e mirë nuk çuan në humbje jete ose plagosje të rënda.

Ndërkohë materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fast reaction”, për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, në Institut.

Identifikohen 7 shtetas të përfshirë në konflikt. Arrestohet në flagrancë 1, procedohen në gjendje të lirë 2 dhe shpallen në kërkim 4.   

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 3 automjete.  

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, dje, pas marrjes së njoftimit se në Institut, disa shtetas po konflikteshin dhe gjatë konfliktit ishte qëlluar me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në konflikt dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. 

Si rezultat i veprimeve të kryera në kuadër të operacionit “Fast reaction”, u identifikuan 7 shtetas shtetas të përfshirë në konflikt. Në vijim, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3:  

-arrestuan në flagrancë shtetasin Y. C., 30 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; 

-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. M. dhe M. S., për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”;

-shpallën në kërkim shtetasit S. Rr., 22 vjeç dhe E. Rr., 25 vjeç (vëllëzër) R. D., 18 vjeç dhe V. H., 27 vjeç.

Nga veprimet hetimore dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasit S. Rr. dhe E. Rr. kanë goditur me qytën e pistoletës shtetasit Y. C. dhe O. C. (vëllëzër) dhe më pas kanë qëlluar me armën e zjarrit në drejtim të tyre,  pa i dëmtuar. 

Vëllëzërit S. Rr. dhe E. Rr. dyshohet se janë ndihmuar nga shokë të tyre të identifikuar si R. D., V. H., M. M. dhe M. S., të cilët kanë goditur me grushte dhe me sende të forta shtetasin A. C., 38 vjeç, si dhe dyshohet se kanë kanosur me armë zjarri shtetasin A. H., 48 vjeç, të dy kushërinj të vëllëzërve Y. C. dhe O. C. 

Punohet për kapjen e 4 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos