Hetimet për atentatin e rëndë të 11 nëntorit në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë punonjësi i AMP-së, Mustafa Sheqeri, po marrin një tjetër drejtim. Burime për A2CNN bëjnë me dije se policia ka dyshime të forta se autorët nuk kanë vepruar vetëm me një mjet, por me të paktën dy ose më shumë automjete të organizuara në role të ndryshme.
Sipas informacioneve të siguruara, Policia e Tiranës po verifikon intensivisht një sërë automjetesh që janë kapur nga kamerat e sigurisë në disa pika kyçe, te rrethi i Rinasit, në parkingun e aeroportit, përgjatë perimetrit ku ndodhi atentati, si edhe në rrugët hyrëse dhe dalëse shumë pranë aeroportit, shkruan A2 CNN.
Hetuesit dyshojnë se grupi kriminal ka qenë i strukturuar mirë, duke përdorur makina të ndryshme për të kryer role të veçanta. Ndërsa ekzekutorët udhëtonin me mjetin tip “Toyota”, të tjerët dyshohet se kryenin funksionet e vëzhguesve, informatorëve, koordinatorëve të lëvizjeve dhe monitorimit të itinerarit të Gilmando Danit.
Në duart e grupit hetimor ndodhen tani qindra orë filmime nga kamerat e sigurisë, të cilat po analizohen një e nga një. Çdo automjet që shfaqet i dyshimtë për nga lëvizjet, ndalesat apo prania e pazakontë pranë zonës së atentatit, po i nënshtrohet verifikimeve të imta.
Burimet thonë se këqyrja e kësaj sasie të madhe pamjesh pritet të ndihmojë në rindërtimin e plotë të itinerarit të autorëve dhe në identifikimin e personave që kanë pasur rol në atentatin mafioz të Rinasit. (A2 Televizion)
