Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur dy grabitës të armatosur futen në një argjendari në Kamëz në datën 16 maj. Njëri prej tyre shihet teksa rrëshqet në hyrje të dyqanit dhe “qortohet” nga kolegu për veprimin e nxituar.
Brenda të dy do të arrijnë që, nën kërcënimin e armës, të marrin një sasi të konsiderueshme bizhuterish, shkruan A2 CNN.
Ngjarja ndodhi më 16 maj, rreth orës 13:00 në Kamëz, në argjendarinë në pronësi të shtetasit O.L.
Në një tjetër video nga vendi i ngjarjes, dy grabitësit shihen teksa largohen me motor pasi kanë marrë atë që kanë dashur.
Ata mbeten ende të paidentifikuar dhe të paarrestuar.
Të enjten, policia njoftoi se ka bërë ndalimin me iniciativë të shtetasit: E. H., 22 vjeç, banues në Krujë. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, është i implikuar në vjedhjen argjendarisë në pronësi të shtetasit O. L., ku u morën një sasi bizhuterish.
Gjithashtu, janë sekuestruar disa sende të kundërligjshme, të vlefshme për hetimin. (A2 Televizion)