Zhvillime të reja janë mësuar nga grupi hetimor në lidhje me atentatin e datës 11 nëntor në Rinas, ku humbi jetën Gilmando Dani dhe u plagos rëndë punonjësi i AMP, Mustafa Sheqeri. Hetimet për ngjarjen tashmë janë shtrirë edhe në shtetin spanjoll. A2 CNN raporton se Policia shqiptare ka kontaktuar autoritetet spanjolle, më konkretisht policinë e Spanjës, për shkëmbim të informacioneve lidhur me lëvizjet e Gilmando Danit dhe Mustafa Sheqerit, të cilët udhëtuan drejt Barcelonës më datë 7 nëntor dhe kur u kthyen në Rinas më 11 nëntor ranë pre e atentatit.
Hetuesit kanë dyshime të forta se planifikimi dhe organizimi i atentatit ka nisur që nga Barcelona atje ku qëndruan tre ditë Dani dhe Sheqeri. Grupi hetimor dyshon se Gilmando Dani ndiqej prej shumë kohësh nga autorët, madje është ndjekur edhe kur është nisur drejt Spanjës më datë 7 nëntor, shkruan A2 CNN.
Nga rindërtimi i ngjarjes që kanë bërë hetuesit, dyshohet se në këtë krim janë përfshirë 6 persona, 3 atentatorë, një shofer, një vëzhgues dhe një person tjetër që i priste në fshatin Halil, atje ku u dogj edhe makina e autorëve më katër armë zjarri brenda. Tashmë janë mbledhur të gjitha kamerat në bizneset në zonë, por edhe në aeroport për të identifikuar të dyshuarit. Policia ende nuk ka prova që mund të çojnë në zbulimin e autorëve. (A2 Televizion)
