Prokuroria e Fier jep detaje të reja lidhur me vrasjen makabre të 56-vjeçarit Anesti Rama, që dyshohet se u dhunua dhe u mbyt me tel nga vajza e tij Emalinda Rama dhe i dashuri i saj, Çlirim Dogani, ndërsa bashkëshortja e viktimës, Valbona Rama ndihmoi duke fshehur pastruar skemën e krimit.
Prokuroria njofton se mbrëmjen e datës 23 korrik, rreth orës 21:16 në sallën Operative Fier është bërë një telefonatë nga Emalinda Rama ku kërkohej një ambulancë pasi një person ishte gjetur i lënduar në tualet, shkruan A2 CNN. Në momentin që ambulanca ka shkuar në banesën e familjes Rama në fshatin Frashër, trupi i pajetë i të ndjerit Anesti Rama është gjetur i shtrirë në sallonin e shtëpisë veshur me këmishë dhe kostum. Më pas personeli mjekësor ka njoftuar policinë, pasi personi për të cilin ishte kërkuar ndihmë mjekësore ishte i vdekur.
“Në zbatim të procedurës hetimore të parashikuar në raste të tilla, në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor. Nga këqyrja e jashtme e trupit të të ndjerit, u konstatua se ai kishte çarje në pjesën ballore, çarje mbi vetull, një dërmishje mbi vetullën e djathtë, si dhe dëmtime të tjera”, thuhet në njoftimin e prokurorisë së Fierit.
Sipas organit të akuzës, vajza Emalinda Rma dhe nënsa e saj Valbona Rama i deklaruan grupit hetimor se e kishin gjetur të ndjerin në tualetin e banesës pa shenja jete dhe të gjakosur, kishin njoftuar fqinjët se ai ishte rrëzuar në tualet dhe në vijim ishte njoftuar ambulanca dhe policia. “Ato e kanë lëvizur të ndjerin nga tualeti, e kanë pastruar dhe veshur, me qëllim kryerjen e riteve mortore, si dhe kanë pastruar vendin e ngjarjes”, sqaronndër të tjera prokuroria.
Për vrasjen makabre të 56 vjeçarit u arrestuan dhe ndodhen në qeli vajza e tij Emalinda Rama, i dashuri i saj Çlirim Dogani nën akuzë për “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim, si dhe bashkëshortja e viktimës, Valbona Rama, nën akuzë për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. (A2 Televizion)