
Një tragjedi e rëndë është regjistruar në brigjet e ishullit të Kretës në Greqi, ku 13 emigrantë kanë humbur jetën, ndërsa 18 të tjerë janë shpëtuar nga autoritetet greke. Varka me emigrantë u pikas herët të hënën nga një anije mallrash, rreth 28 kilometra larg portit të Kaloi Limenes.
Sipas Rojës Bregdetare greke, personat e mbijetuar dhe trupat e viktimave u transportuan në breg. Katër prej të mbijetuarve u dërguan në spital, por njëri prej tyre ndërroi jetë më vonë. Mes të shtruarve në spital ishte edhe një fëmijë i vogël. Autoritetet dyshojnë se varka mund të kishte qëndruar për disa ditë në det të hapur, ndërsa erërat e forta ua kishin vështirësuar udhëtimin drejt bregut.
Ndërkohë, vetëm gjatë së hënës, Roja Bregdetare greke shpëtoi edhe 187 emigrantë të tjerë në tri operacione të ndryshme pranë Kretës. Greqia vijon të jetë një nga pikat kryesore të kalimit të emigrantëve drejt Evropës. (A2 Televizion)