Begaj dhe Mattarella presin kryetarët e komunave arbëreshe në Quirinale: Arbëreshët, themeli i vëllazërisë shqiptaro-italiane

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2026, 15:48 | Politikë

Begaj dhe Mattarella presin kryetarët e komunave arbëreshe në

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe homologu i tij italian, Sergio Mattarella, kanë pritur së bashku në Pallatin Quirinale kryetarët e të gjitha komunave arbëreshe në Itali. Gjatë takimit, Begaj vlerësoi lidhjet historike dhe vëllazërore mes dy popujve, duke e cilësuar komunitetin arbëresh si dëshmi të gjallë të miqësisë shqiptaro-italiane.

“Miqësitë mes shteteve mund të ndërtohen nga interesat e përbashkëta, ndërsa vëllazëria lind nga historia, nga kujtesa, lind nga lidhjet njerëzore. Ju, të dashur arbëreshë, jeni themeli i kësaj vëllazërie”, u shpreh kreu i shtetit, duke theksuar se arbëreshët kanë ruajtur për më shumë se pesë shekuj gjuhën, traditat dhe identitetin shqiptar.

Begaj falënderoi Presidentin Mattarella për organizimin e këtij takimi, ndërsa e cilësoi Italinë një aleate të besueshme, partnere strategjike dhe mbështetëse të rëndësishme të integrimit evropian të Shqipërisë.

“Takimi ynë i sotëm është shumë më tepër sesa një ngjarje protokollare; është dëshmi e gjallë e miqësisë së veçantë ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, një miqësi që i ka rrënjët e thella historike, por që mbetet po aq e fuqishme dhe frymëzuese në kohë moderne”, theksoi kreu i shtetit shqiptar.

Në fjalën e tij, Presidenti vlerësoi gjithashtu modelin e integrimit të arbëreshëve dhe shqiptarëve në shoqërinë italiane, duke nënvizuar se ruajtja e identitetit kombëtar dhe integrimi nuk përjashtojnë njëri-tjetrin, por pasurojnë shoqëritë dhe forcojnë mirëkuptimin mes popujve.

Begaj theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë mbështeten jo vetëm në bashkëpunimin politik dhe strategjik, por edhe në lidhjet njerëzore e historike, ndërsa shprehu bindjen për vazhdimin e rrugëtimit të përbashkët evropian të dy vendeve.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos