Kleanth Bylyku (alias Armando Gega), u arrestua këtë të premte në Vlorë, pasi akuzohet si një nga autorët e përfshirë në vrasjen e ndodhur më 27 prill, në lagjen“Hajro Çakërri”, ku viktimë mbeti Renato Hoxha.
Sipas burimeve të A2 CNN brenda policisë së qytetit bregdetar, 42-vjeçari ka patur rolin e ndihmësit të vrasësit të 58-vjeçarit.
Ditën e vrasjes ai ka lëvizur në të njëjtin automjet me personin që ka kryer ekzekutimin. Vrasja e rojës së një objekti në ndërtim ka ndodhur me porosi nga Dubai.
Ekzekutori është larguar drejt Greqisë pas ngjarjes dhe vazhdon të jetë në arrati. Por mësohet se Kleanth Bylyku ka qënë personi që e ka ndihmuar me lëvizjet, i ka dhënë informacionet e duhura për viktimën madje i ka siguruar edhe armën e zjarrit.
42-vjecari ka qenë hallkë tepër e rëndësishme e grupit të ngritur për të vrarë 58 vjeçarin. A2 CNN mëson se ka edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, të cilët janë identifikuar por ende nuk janë arrestuar.
Policia e Vlorës vijon punën për hetimin e plotë të ngjarjes por edhe kapjen e personave të dyshuar. Për personat e përfshirë në ngjarje ka patur edhe një seancë gjyqësore në gjykatën e Vlorës, e cila ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg në mungesë” për të gjithë. (A2 Televizion)