Atentati me tritol në Shkodër, inspektori i tatimeve dëshmon në polici

Nga Senad Nikshiqi
29 Tetor 2025, 10:09 | Kronikë

Atentati me tritol në Shkodër, inspektori i tatimeve dëshmon

Shpërthimi me tritol i një dite më parë në Shkodër vazhdon që të jetë ende një mister. Shtetasi Ena Busukja, i cili ishte në qendër të këtij atentati mësohet se ka dhënë një deklaratë për policinë vendore të Shkodrës teksa në mënyrë kategorike ka mohuar faktin se mund të ketë patur probleme me ndokënd. Inspektori tatimor është shprehur se nuk e ka as idenë më të vogël përse ndodhi atentati ndaj tij dhe se kush mund të jenë autorët.

“Sapo dola nga banesa dhe isha duke hipur në makinën e punës që kam. Në ato momente shpërtheu lënda eksplozive që ishte vendosur tek motori afër makinës time. Fillimisht nuk e kam kuptuar se çfarë ndodhi. Kam dalë nga automjeti dhe kam qëndruar derisa erdhi policia dhe një ambulancë. Unë nuk e kam as idenë më të vogël se përse ndodhi ky atentat ndaj meje. Ju them me bindje të plotë se në mënyrë kategorike nuk kam asnjë problem me askënd. Nuk kam patur konflikte të mëparshme dhe as ndonjë kërcënim apo presion të asnjë lloji. Ndaj nuk kam asnjë ide se kush mund të jenë autorët apo përse ndodhi kjo ngjarje”, është shprehur ai.

Ndërkohë, policia vendore dhe prokuroria e Shkodrës janë duke vijuar hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje. Efektivët kanë bërë sekuestrimin e kamerave të sigurisë pasi dyshojnë se autorët kanë qenë dikund afër dhe pasi kanë parë shtetasin Busukja duke iu afruar automjetit të tij, kanë kryer shpërthimin e telekomanduar dhe më pas janë larguar. Policia nuk përjashton faktin se autorët mund të jenë me pagesë, duke qenë njëra prej pistave të mundshme në këtë atentat. Po ashtu janë duke u hetuar të gjitha lidhjet e mundshme që mund të ketë i plagosuri Busukja nëse kjo ngjarje ka të bëjë me punën e tij në tatime, biznesin që ka për larjen e rrobave apo ndonjë konflikt tjetër. Deri më tani policia nuk ka ende një pistë konkrete të hetimeve, shkruan A2 CNN.

Efektivët në fshatin Dragoç të Postribës gjetën një makinë të djegur që dyshohet se e kanë përdorur autorët e tritolit. Ky automjet golf 5+ rezulton i vjedhur rreth një vit më parë në qytetin e Shkodrës dhe është përdorur në këtë ngjarje të rëndë.

Në Shkodër një ditë më parë ishin edhe forcat RENEA lidhur me ekspertimin e lëndës eksplozive dhe sasisë që mund të jetë vendosur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos