
Policia e kryeqytetit ka finalizuar operacionin e koduar “Pasoja”, duke arrestuar 40-vjeçarin Ahmet Bellahu, i shpallur më herët në kërkim dhe i dënuar nga Gjykata e Tiranës me 6 vite burg për mashtrim me pasoja të rënda.
Sipas Policisë, Bellahu kishte përfituar 21 000 euro nga një qytetar, duke e mashtruar se do t’i siguronte dokumentet e udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Gjykata e Tiranës e ka dënuar 40-vjeçarin, në vitin 2024, me 6 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda.
Në këtë vit, ai përfitoi nga një shtetas, 21 000 euro, nëpërmjet mashtrimit se do t’i siguronte dokumentet e nevojshme për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, njofton Policia.
Shërbimet e Komisariatit Nr. 2, në bashkëpunim me hetimin e krimeve ekonomiko-financiare, lokalizuan dhe ndaluan 40-vjeçarin gjatë kontrolleve të organizuara për kapjen e personave në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)
