
Një ngjarje e rëndë është zbardhur nga policia, e cila ka arrestuar një 36-vjeçar të dyshuar për intoksikimin e një çifti të moshuar dhe vjedhjen e parave të tyre. Operacioni policor i koduar “Opportunity” u zhvillua në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve kundër Personit në DVP Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.
Ngjarja u zbulua pasi bashkëshortët e moshuar u transportuan fillimisht në spitalin e Librazhdit dhe më pas në QSUT, në gjendje të rënduar shëndetësore, të dyshuar për intoksikim. Hetimet e shpejta dhe të koordinuara zbuluan se autor i dyshuar i ngjarjes është Ismail Kllogjri, 36 vjeç, dhëndri i tyre.
Sipas Policisë, ai dyshohet se u ka administruar të moshuarve një dozë të lartë medikamenti qetësues, të dyshuar si valium, duke u shkaktuar dëmtime të rënda shëndetësore. Pasi i ka lënë pa ndjenja, 36-vjeçari ka marrë një shumë parash nga banesa e tyre.
Të dy të moshuarit ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe janë jashtë rrezikut për jetën. (A2 Televizion)
