Ilir Meta, 3 orë përballë prokurorit, zbulohet çfarë ndodhi në SPAK

Nga A2 CNN
7 Janar 2025, 13:35 | Kronikë

Ilir Meta është marrë në pyetje këtë të martë nga prokurori në SPAK për gati 3 orë. Pas përfundimit të marrjes në pyetje, avokati i Metës Genc Gjokutaj zbuloi se Meta është pyetur vetëm për çështjen e lobimit, ndërsa tha se seanca kishte nisur me një kërkesë të kreut të Partisë së Lirisë, shkruan A2 CNN.

“Sot në orën 10:30 ishte planifikuar që Ilir Meta të pyetej nga prokurori Sotir Kllapi dhe oficeri. Në fakt, pyetja filloi me një kërkesë të Metës, i cili donte të dinte se çfarë bëhej me kallëzimin që ne kemi depozituar në lidhje me rrëmbimin që i është bërë në ekzekutimin e masës së sigurisë arrest me burg në 21 tetor, por prokurorët thanë se kjo çështje nuk i është caktuar atyre. Sot, Meta është pyetur vetëm sa i përket lobimit në Amerikë.

Meta ka qenë sqarues dhe tepër bashkëpunues në lidhje me çështjen për aq sa ai kishte dijeni dhe mbante mend, pa iu referuar akteve që do të na vihen në dispozicion”, tha Gjokutaj.

Më tej, avokati tha se Ilir Meta ka zgjedhur të përballet me akuzat e ngritura dhe do të japë shpjegime sa herë të thirret.

“Meta nuk diskutohet për të dhënë shpjegime dhe për të qenë bashkëpunues. Meta në të gjitha seancat, edhe në cilësinë e personit që ka dijeni, është pyetur 4 herë dhe ka dhënë shpjegime. Meta ka zgjedhur të përballet me faktet që prokurorët kanë në dispozicion”, tha Gjokutaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos