Inceneratori i Tiranës, gjyq i shkurtuar për Kokën, pretenca më 7 shkurt

Nga A2 CNN
31 Janar 2025, 16:42 | Kronikë

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, do të gjykohet me kohë të shkurtuar në Gjykatën e Posaçme për çështjen e inceneratorit të Tiranës, ku akuzohet për “shpërdorim të detyrës”.

Të njëjtit lloj gjykimi, që në rast fajësie i garanton të pandehurit uljen e një të tretës së dënimit, do t’i nënshtrohen edhe shtatë të pandehur të tjerë të çështjes.

Ndërsa për të pandehurit Etleva Kondi, Alba Thoma, Pëllumb Abeshi dhe Silena Tola gjykata veçoi çështjen, për të vijuar ndaj tyre një gjyq të zakonshëm.

Në seancën e së premtes, pasi çeli procesin gjykata u njoh me kërkesën e prokurorisë për gjykimin e Kokës dhe shtatë të bashkëpandehurve për “shpërdorim të detyrës”.

Në përfundim, kryesuesja Elsa Ulliri i la kohë prokurorisë deri në 7 shkurt për të paraqitur konkluzionet përfundimtare ndaj të pandehurve.

Hetimi i SPAK ndaj aferës së inceneratorit të Tiranës ka zbuluar një sërë parregullsish të kryera gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncesionit. Sipas SPAK, ish-ministri dhe ish-zyrtarët e pandehur të ministrisë së Mjedisit kanë ndihmuar shoqërinë “Integrated Energy BV” të zotëruar nga Klodian Zoto, që të pajisej me dokumentacionin e nevojshëm para dhe pas procedurës koncesionare, me qëllim që të shpallej fituese.

Po ashtu, zyrtarët shtetërorë dyshohet se kanë shkelur ligjin gjatë përllogaritjeve të kostove në studimin e fizibilitetit, duke rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore në 29 euro/ton. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos