Belind Këlliçi tha se SPAK dha një mesazh të qartë duke mos marrë si të pandehur kryebashkiakun Erion Veliaj për Inceneratorin e Tiranës. “Kushdo që ka pasur edhe më të voglin dyshim, se kolegët e pronarit faktik të Inceneratorit Tiranë dhe kreut të Grupit të Strukturuar Kriminal Erion Veliaj, do të bënin drejtësi për aferën e shekullit, atë të vjedhjes së 132 milionë eurove përmes një inceneratori që nuk ekziston, dje ka marrë një goditje dhe mesazh të qartë nga SPAK”, tha ai në një deklaratë për mediat.
Këlliçi e quajti “vendim të turpshëm, skandaloz, të denjë për republikat e bananeve”, duke marrë si të pandehur 12 punonjës të Bashkisë dhe Ministrisë së Mjedisit, të cilët do të gjykohen për veprën e “shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim.
“Këta 12 punonjës, sipas SPAK janë përgjegjës për dhënien e bonusit 8% të pikëve kompanisë që nuk ekzistonte Integrated Energy BV sh.p.k., ku ndërkohë nuk ka sot shqiptar që nuk e di që personi i cili ka firmosur këtë bonus, edhe pasi është njoftuar dy herë nga dy Ministrat e atëhershëm Manjani dhe Felaj se kjo kompani nuk ekzistonte, është vetë Edi Rama. Janë Engjëll Agaçi dhe Edi Rama personat drejtpërdrejtë përgjegjës për këtë shkelje flagrante, e ndërkohë sot SPAK me urdhër të tyre, po çon në burg Anëtarët e Komisionit të Dhënies së Koncesionit, të cilët pa lejen e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, nuk mund as të shkonin në tualet”, tha Këlliçi.
“Sipas SPAK, këta 12 punonjës janë përgjegjës edhe për procedurën e dhënies së koncesionit për ndërtimin e inceneratorit, edhe pse nuk ka sot shqiptar që nuk e di se është Erion Veliaj ai, i cili fillimisht propozoi këtë projekt dhe pas refuzimit kategorik të 2 ish ministrave të Financave të kohës, Cani dhe Ahmetaj, vetë Erion Veliaj firmosi më 27 mars 2017 miratimin e këtij koncesioni, në shkelje të plotë të Ligjit për “Vetqeverisjen vendore”, pa pyetur aspak Këshillin Bashkiak për këtë angazhim dhe gropë financiare në të cilin i futi qytetarët e Tiranës për 30 vite.
Sipas SPAK, këta 12 punonjës janë përgjegjës edhe për të dhënat fiktive në studimin e fizibilitetit i cili u përdor për të rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve në 29 euro/ton, studim të cilin e kemi publikuar të plotë nga kjo foltore dhe me të cilin kemi parë pronarin faktik të inceneratorit Erion Veliajn, të rrihte gjoksin, studio më studio, duke thënë se po i kursente para qytetarëve të Tiranës përmes miratimit të këtij konçensioni hajdutërie dhe babëzie, i cili sot e ka çuar tarifën reale të pastrimit dhe depozitimit të mbetjeve të Tiranës në 101 euro/ton, nga 35 euro/ton që ishte propozimi fillestar i IFC dhe Bankës Botërore”.
Inceneratori i Tiranës shkon në gjykatë, SPAK tregon si Klodian Zoto udhëhiqte procedurat
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundon hetimet paraprake për një prej procedimeve të inceneratorit të Tiranës, duke dërguar për gjykim 12 të pandehur për “shpërdorim detyre”.
Lista kryesohet nga ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka për të vijuar me zyrtarë të lartë të kësaj ministrie, anëtarët e Komisionit të dhënies së koncesionit që përfshijnë edhe zyrtarë të lartë të Bashkisë së Tiranës, si dhe dy punonjës të Qendrës Kombëtare të Biznesit.
SPAK ka gjetur shkelje ligji dhe vendime qeverie para dhe gjatë dhënies së koncesionit për Integrated Energy B.V SPV me vlerë investimi mbi 128 milion e 248 mijë euro.
Komisioni, ministri Koka dhe dy zyrtarët e lartë të ministrisë së Mjedisit: drejtoresha juridike Alba Thoma dhe i Sektorit të Prokurimeve Bledar Karoli, kanë propozuar dhënien e bonusit prej 8 % të pikëve totale të garës, shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV” në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria e Klodian Zotos, “Integrated Technology Services” sh.p.k, që ka qene në dijeni të rrethanave konkurruese para se të shpallej procedura.
Po i njëjti grup të pandehurish kanë shkelur ligjin pasi, sipas SPAK, dokumentet standarde të koncesionit nuk rezultojnë të jenë hartuar dhe miratuar nga anëtarët e komisionit, kur ato janë ngarkuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik.
Rezulton se nga ana e komisionit nuk është mbajtur mbledhje apo procesverbal për hartimin e Dokumenteve Standarde të Koncesionit. Dokumentet sipas SPAK janë hartuar nga punonjësit e Klodian Zotos dhe u janë dërguar dy zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit, “ura lidhëse” me shoqërinë e Klodian Zotos.
Ministri Lefter Koka ka miratuar vazhdimin e procedurës për dhënien e koncesionit, pa dokumentacion shoqërues të Dokumenteve Standarte të Koncesionit nga ana e Komisionit.
Ligji për koncesionet është shkelur nga komisioni edhe për studimin e fizibilitetit, duke i marrë pa asnjë verifikim kostot e dërguara nga shoqëria propozuese, ku rezulton e rritur fiktivisht tarifa e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore, 29 Euro/ton.
Sipas SPAK nëse Komisioni i Dhënies së Koncesionit do të kishte përllogaritur të ardhurat që shoqëria koncesionare do të përfitonte nga palët e treta për depozitimin e mbetjeve inerte, pjesa që do të mbulonte buxhet i shtetit do të ishte më e ulët.
Lidhur me rolin e punonjësve të Qendrës Kombëtare të Biznesit, të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, SPAK thotë se Jetmir Llapaj dhe Silena Tola kanë shkelur ligjin në lidhje me regjistrimin e pronarëve përfitues fundor të shoqërisë “Integrated Energy BV SPV”.
Rezulton se nuk është dorëzuar dhe administruar dokumentacioni shoqërues justifikues për të provuar ndryshimin e aksionerëve përkatës për periudhën kohore në fjalë. SPAK e mbyll njoftimin duke thënë se hetimet për inceneratorin e Tiranës vijojnë deri në daljen e përgjegjësisë së çdo personi dhe institucioni që ka pasur rol në përfitimin dhe zbatimin e kontratës për inceneratorin e Tiranës, i sekuestruar afro një vit më parë. (A2 Televizion)