Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beçi, ka komentuar aksidentin tragjik të ndodhur në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur, duke u ndalur më gjerësisht te politika e dënimeve për shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, Beçi u shpreh se ndonëse legjislacioni shqiptar është i plotë dhe parashikon dënime të konsiderueshme, në praktikë ato rrallëherë aplikohen në maksimumin e tyre.
“Për sa i përket faktit nëse kemi dënime të rënda, po themi shembullore, është e vërtetë që mund të mos gjesh ose mund t’i gjesh me gishtat e njërës dorë dënimet që janë mbi 10 vite për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Kjo tregon se kemi ligje të shkruara shumë mirë, kemi hetime që mund të nxjerrin fajtorin, por nuk kemi dënime shumë të larta,” tha Beçi.
Ai shtoi se ndryshimet ligjore të bëra ndër vite i japin mundësi gjykatave të aplikojnë dënime më të ashpra:
“Që nga viti 2013 e këtej, ligji të lejon që të japësh dënime nga 10 deri në 15 vite burg dhe në raste të caktuara edhe më shumë. Dënimi në vetvete është edhe një fuqi parandaluese, sepse ndikon drejtpërdrejt në frenimin e këtyre veprave penale.”
Duke u ndalur te individualizimi i dënimit, Beçi theksoi se çdo rast duhet trajtuar në bazë të rrethanave konkrete:
“Dënimi varion nga 5 deri në 15 vite, por në varësi të numrit të viktimave dhe rrethanave rënduese, mund të shkojë edhe më lart. Mund të japësh 5, 6, 7, 8, 9 apo 10 vite burg, por nuk besoj se ka shumë raste në Shqipëri me 15 apo 20 vite burg për këto vepra penale.”
“Nuk mund të trajtohet njësoj një rast kur një drejtues mjeti përplas një person, me një rast kur, për shembull, një drejtues autobusi shkakton një aksident me disa viktima për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Këto janë situata që kërkojnë një vlerësim më të thelluar dhe dënime më të ashpra.” (A2 Televizion)