
Dy efektivë policie që shërbenin në pikën kufitare të Hanit të Hotit janë pezulluar nga detyra, pasi akuzohen se kanë lejuar kalimin e një ngarkese me marihuanë.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për rajonin Shkodër – Lezhë ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkodrës, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar në nenet 242 dhe 234 të Kodit të Procedurës Penale, për dy punonjës policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal. Besmir Qershia, me detyrë Ndihmës Specialist / Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar “Hani i Hotit” dhe Elvis Kuti, me detyrë Trupë Shërbimi / Kontrollor në vijën e dytë në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Hotit”, njofton AMP.
Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur pas hetimeve t në lidhje me ngjarjen e datës 5 shtator të këtij viti, ku një kamion me targa të Bosnjë Hercegovinës pasi ka kryer procedurat e daljes nga Republika e Shqipërisë është ndaluar nga policia malazeze.
Pas kontrollit të ushtruar në kamion janë gjetur 114 pako PVC, me përmbajtje të një lënde bimore të ngjashme me lëndën narkotike mariuhanë, me peshë bruto 131.7kg. (A2 Televizion)
