Makina e policisë përplaset me “Benz-in” në Fier, dy efektivë të plagosur

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2025, 15:48 | Kronikë

Një aksident ka ndodhur mesditën e sotme në aksin rrugor Fier-Patos ku janë përplasur dy automjete duke shkaktuar tre të lënduar.

Konkretisht rreth orës 15:10, një automjet i policisë është përplasur me një automjet tip “Benz” teksa udhëtonin në kahe të kundërta.

Si pasojë e përplasjes dy efektivë të komisariatit të Fierit janë lënduar dhe dërguar në spital ku po marrin ndihmë mjekësore së bashku me drejtuesen femër të “Benz-it”.

Sipas burimeve policore nga vendngjarja, përplasja dyshohet të ketë ndodhur pasi drejtuesja e automjetit tip “Benz” ka humbur kontrollin për shkak të lagështirës, ndërsa mësohet se tre të lënduarit ndodhen nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

"Rreth orës 14:40, në aksin rrugor "Fier-Patos", shtetasja M. H. duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka goditur automjetin e policisë rrugore, me drejtues punonjësin e policisë F. Sh. Për pasojë është dëmtuar shtetasja M. H. dhe dy punonjësit e policisë, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën", njofton policia.

Nga grupi hetimor për rastin thuhet se reshjet e dendura të shiut që po vijojnë prej mbrëmjes së djeshme, kanë vështirësuar shikueshmërinë në rrugë.

Megjithatë hetimi për shkaqet e aksidentit po kryhet dhe prite të zbardhë rrethanat e ngjarjes. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos