Kantina e pijeve të Lefter Kokës i kalon shtetit, konfiskohen 12 pasuri të ish-ministrit dhe 4 personave të tjerë

Nga Xhensila Kodra
20 Dhjetor 2024, 15:13 | Kronikë

Konfiskohen 12 pasuri të paluajtshme dhe 5 shoqëri tregtare, në pronësi të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe 4 të tjerëve.

Policia ka zbatuar vendimin e gjykatës duke i kaluar tashmë pasuritë e konfiskuara në favor të shtetit. Pasuritë e tjera janë në emër të Miklovan Xhafës, Agim Seferit, Arbër Denizit dhe Mateo Rustanit.

Në total pasuria e konfiskuar është rreth 340 milionë lekë. Në konfiskim u vunë 88.19% e aksioneve të kantinës së verës në Rashbull, Durrës, në pronësi të Lefter Kokës, 8 apartamente pronë e personave të tjerë, si dhe pasuri të paluajtshme truall.

Pasuritë e konfiskuara vijnë pas dënimit të këtyre personave në lidhje me dosjen korruptive të inceneratorit të Elbasanit. Më 8 nëntor të këtij viti, Gjykata e Posaçme e Apelit ndryshoi vendimin për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka duke e shpallur fajtor edhe për akuzën e shpërdorimit të detyrës siç kishte kërkuar SPAK, dhe e rriti dënimin me 1 vit burg.

Në përfundim, Koka u dënua me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi konvertohet në 6 vite e 8 muaj burg. Sipas dosjes së SPAK Lefter Koka kishte krijuar në vitin 2016 disa kompani të ndryshme të lidhura me njëra-tjetrën por që i kishte vendosur në emër të personave të tij të besuar.

Këto kompani kanë marrë shuma të mëdha parash nga inceneratorët përmes faturave fiktive për punime që nuk ekzistonin. Përpos këtij dënimi, Lefter Koka po vijon betejën me drejtësinë edhe për inceneratorin e Fierit dhe atë të Tiranës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos