Kapen turqit me dokumente false në Rinas, do kalonin si grekë

Nga A2 CNN
21 Qershor 2025, 17:48 | Kronikë

Kapen turqit me dokumente false në Rinas, do kalonin si grekë

Policia kufitare e Rinasit njofton se ka parandaluar një rast të kalimit të paligjshëm të kufirit me dokumente false, duke arrestuar dy shtetas turq.

H. K., 29 vjeç dhe A. H., 21 vjeç, akuzohen për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim, dhe “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Gjatë kontrollit të dokumentacionit në dalje, shtetasi H. K., i cili do të udhëtonte në itinerarin Tiranë–Luton, së bashku me shtetasin A. H., paraqiti një pasaportë greke, për të cilën shërbimet e Policisë Kufitare dyshuan se ishte e falsifikuar. Të dy shtetasit u kaluan në vijë të dytë për kontroll më të detajuar.

Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve, shërbimet e Policisë i gjetën shtetasit H. K. një kartë identiteti dhe një leje drejtimi greke, të dyshuara si të falsifikuara. Gjithashtu, edhe pasaporta greke e paraqitur rezultoi e falsifikuar.

Ndërkohë, në çantën e shpinës së shtetasit A. H., shërbimet e Policisë gjetën një pasaportë turke me të dhënat e shtetasit H. K., e cila, pas ekzaminimit në laborator, rezultoi dokument i rregullt. Në bagazhet e shtetasit A.H., Policia gjeti një pasaportë greke, një kartë identiteti greke dhe një leje drejtimi greke me të dhënat e shtetasit Y. Y., të cilat, pas ekzaminimit paraprak në laborator, rezultuan të falsifikuara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos