
Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 35-vjeçar, i cili u kap në flagrancë duke drejtuar një automjet të vjedhur në zonën e Yrshekut.
Sipas uniformave blu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë reaguar menjëherë pas marrjes së informacionit për vjedhjen e një mjeti, duke organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore është arrestuar shtetasi D. K., 35 vjeç, banues në Tiranë, i cili u ndalua në Rrugën e Qelqit, teksa drejtonte një automjet tip “Volkswagen”, në pronësi të shtetasit M. E.. Hetimet paraprake tregojnë se 35-vjeçari e kishte vjedhur automjetin në oborrin e banesës së këtij të fundit.
Automjeti i vjedhur është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme hetimore. (A2 Televizion)
