Kërkesat e kryebashkiakut, nga kafazi te Nesti Angoni, gjykata vendos për Veliajn

Nga Armand Bajrami
16 Qershor 2026, 19:25 | Kronikë

Gjykata e Posaçme refuzoi të martën një sërë kërkesash të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Kërkesat u artikuluan nga avokati Plarent Ndreca, në procesin ku kryebashkiaku gjykohet bashkë me 18 të pandehur të tjerë, përfshi bashkëshorten, Ajola Xoxa. Vetë Veliaj nuk u paraqit në gjykatë. Ai e arsyetoi mungesën me moszbatimin e të drejtës për të marrë pjesë si njeri i lirë në sallën e gjyqit.

Para gjykatës, avokati i Veliajt këmbënguli për lejimin e kamerave në sallën e gjyqit dhe transmetimin live të seancës. Së dyti, kërkoi t’i krijohen kushte klientit të tij, për të qëndruar jashtë kafazit të sallës së gjyqit, pasi sipas avokatit, qëndrimi në kafaz i ndikonte negativisht në mbrojtjen efektive. Në vijim, avokati kërkoi që SPAK t’i vendosë në dispozicion mënyrën se si janë administruar kallëzimet e Nesti Angonit dhe Nastia Pëllumbit, si edhe caktimin e seancave gjyqësore një herë në dy javë, për të pasur kohën e nevojshme për konsulta me klientin dhe përgatitje.

Prokurorët Altin Dumani e Olsi Dado kërkuan rrëzimin e të pesë kërkesave. Në lidhje me shpeshtinë e seancave, prokurori Dumani, i tha gjykatës të shikonte mundësinë e zhvillimit të seancave çdo ditë. Më tej ai shtoi se kjo ishte e pamundur për shkak të ngarkesës së palëve, duke u dakordësuar me gjyq një herë në javë. Për kallëzimet e anonimëve Nesti Angoni e Nasta Pëllumbi prokurori Olsi Dado tha se mënyra e administrimit është pasqyruar në aktet e dosjes.

Pas 30 minutash në dhomën e këshillimit, gjykata vendosi të refuzonte kërkesën e Veliajt për transmetimin live të seancës dhe nxjerrjen e tij nga kafazi, duke i konsideruar si të përsëritura dhe të pabazuara. Gjykata refuzoi edhe gjyqin një herë në dy javë, ndërsa nuk u shpreh në lidhje me kërkesën e Veliajt mbi kallëzuesit anonimë. Më tej, në pranim të avokatit të ri të të pandehurës Ajola Xoxa, për kohë për t’u njohur me aktet e dosjes, gjykata shtyu seancën për më 23 qershor.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos