
Operacioni “Fati i Lojërave” është shtrirë edhe në Kavajë, ku policia zbuloi dy ambiente të përshtatura për lojëra fati me makineta, ndërsa janë shpallur në kërkim dy persona.
Sipas policisë Klejsi Cani dhe Klajdi Çopa kishin marrë me qira ambientet në lagjen 1 dhe 6 të këtij qytetit. Gjatë aksionit u sekuestruan edhe 16 pajisje, raporton A2 CNN.
Njoftimi
Policia e Shtetit / Vijon operacioni “Fati i Lojërave”.
Operacioni u zhvillua pas informacionit të siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Zbulohen në Kavajë dy ambiente të përshtatura për lojëra fati me makineta.
Shpallen në kërkim dy shtetas, të cilët kishin marrë me qira dy ambientet ku u gjetën dhe u sekuestruan pajisjet e lojërave të fatit.
Sekuestrohen 16 makineta që shërbenin për zhvillimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Pas informacioneve të mbërritura në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe finalizimit të operacioneve në Kurbin, Milot e Tiranë për përshtatje të ambienteve për zhvillimin e lojërave të fatit me makineta, një tjetër informacion ka ardhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë për dy ambiente në dy lagje të qytetit të Kavajës, që ishin përshtatur për lojëra fati.
Bazuar në këtë informacion, shërbimet e Policisë organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Fati i Lojërave”.
Gjatë operacionit u zbuluan 2 ambiente në lagjen nr. 6 dhe lagjen nr. 1, në Kavajë, të përshtatura për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Në vijim të veprimeve procedurale u shpallën në kërkim shtetasit:
K. C., 26 vjeç, pasi në lagjen nr. 6, Kavajë, në një ambient të marrë me qira prej tij, u gjetën dhe u sekuestruan 5 makina për lojëra fati;
K. Ç., 20 vjeç, pasi në lagjen nr. 1, Kavajë, në një ambient të marrë me qira prej tij, u gjetën dhe u sekuestruan 11 makina për lojëra fati.
Po punohet për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar anonimat të plotë, reagim të shpejtë dhe profesional. (A2 Televizion)