
Një aksident i rëndë është regjistruar në Lezhë, ku dyshohet se kanë humbur jetën babë e bijë.
Ata janë gjendur të pajetë brenda një automjeti të përmbysur në një kanal në fshatin Gocaj, në rrethana ende të paqarta.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit, shkruan A2CNN.
Deri më tani, ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për humbje kontrolli të mjetit apo faktorë të tjerë që mund të kenë shkaktuar ngjarjen.
Informacion paraprak i policisë
Rreth orës 21:45 të datës 25.04.2026, në Komisariatin e Policisë Lezhë është paraqitur djali i shtetasit A. K., i cili ka kallëzuar se ka humbur kontaktet me babain dhe me motrën e tij, të cilët ishin nisur për në punë me automjetin e tyre.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle për gjetjen e tyre.
Në fshatin Gocaj, në afërsi të fabrikës së çimentos, në një rrugë dytësore, u gjet automjeti i tyre në një kanal me ujë.
Pas nxjerrjes së automjetit nga uji, rezultoi se në automjet ndodheshin pa shenja jete shtetasit A. K., 54 vjeç, dhe B. K., 20 vjeçe (babë e bijë).
Paraprakisht dyshohet se automjeti ka dalë nga rruga si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e tij nga ana e drejtueses së automjetit, shtetases B. K.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave, përcaktimin e shkakut të daljes nga rruga të automjetit dhe për dokumentimin e plotë ligjor.
(A2 Televizion)