Kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetës, Eneo Sulejmani, u kap duke transportuar 1 kg kokainë me makinë. 30-vjeçari ishte bashkë me dy të rinj të tjerë në makinë dhe kishin në plan të shkëmbenin drogën mbrëmjen e 21 marsit në rrugën “MihalDuri”, pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, në Tiranë, por plani nuk u shkoi ashtu siç prisnin.
Agjentët e antidrogës që ndiqnin lëvizjet e tyre sapo hynë në një rrugë pa dalje i bënë shenjë të ndalojnë, por Sulejmani tentoi të largohet duke përplasur automjetin e policisë dhe të efektivëve.
Në këtë moment, njëri prej efektivëve ka qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes duke lënë të plagosur Sulejmanin. Më pas, i riu është dërguar në spitalin e traumës ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën me një plagë në këmbë. Nga hetimet paraprake të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore nuk rezulton që efektivët e policisë të kenë bërë shkelje për shkak se atyre u rrezikua jeta.
Pas kontrollit të automjetit policia gjeti dhe 1 kilogram kokainë. Në makinë, bashkë me Sulejmanin u arrestuan dhe Shkëlqim Ostreni, 26 vjeç, dhe Igli Begaj, 21 vjeç. Tre të arrestuarit dyshohet se ishin furnizues të shpërndarësve të drogës në zonën e “Xhamllikut” dhe do të shkëmbenin drogën në zonën ku u ndaluan nga agjentët. (A2 Televizion)