
Kontrolle të befasishme janë zhvilluar mëngjesin e sotëm në IEVP-të e Elbasanit dhe Lushnjës, raporton A2CNN. Aksionet “blic” bëhen nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Adriatik Kupi, si dhe Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Drejtues i Lartë Paulin Rajta.
“Në IEVP Elbasan, operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me drejtorin e ri të sapoemëruar të institucionit, në kuadër të marrjes së detyrës dhe forcimit të masave të sigurisë. Kontrollet janë ushtruar në regjimet e brendshme, qelitë, ambientet e përbashkëta dhe sektorët e sigurisë, me fokus evidentimin dhe parandalimin e sendeve të ndaluara, forcimin e kontrollit operacional dhe rritjen e standardeve të sigurisë në institucione”, thuhet në njoftim.
“Në terren janë angazhuar forca të shumta të sigurisë dhe personel i administratës së burgjeve. Gjatë kontrolleve në IEVP Lushnjë janë konstatuar dhe sekuestruar sende të tepërta dhe aksesorë mjetesh komunikimi, ndërsa çdo material që përbën vepër penale do t’i referohet SHKBB-së dhe organeve kompetente për veprime të mëtejshme proceduriale”, vijon njoftiMI.

(A2 Televizion)