Pothuajse çdo pesë ditë ka kryer një vjedhje në Tiranë gjatë dy viteve të fundit. Kjo është historia e të miturit 14-vjeçar, i cili ka kryer plot 150 vjedhje në kryeqytet në vetëm dy vite. I mituri i “pakapshëm” për policinë ishte kthyer në tmerrin e bizneseve dhe qytetarëve që grabiste.
Pas dy vitesh në arrati dhe vjedhjesh të shumta që kryente, I mituri më në fund është arrestuar nga policia e Tiranës. Bashkë me 14-vjeçarin janë arrestuar edhe dy tutorë të tij, që e shtynin të miturin të kryente vjedhje.
Në pranga ranë shtetasit Agron Doçi 48-vjeç dhe Altin Hyseni 41 vjeç. Nga hetimet dyshohet se dy të arrestuarit më datë 21 janar, kanë shtyrë të miturin, për të vjedhur 1 motomjet, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, të cilin e ka përvetësuar 41-vjeçari.
Policia zyrtarisht njofton se 14-vjeçari është autor i dyshuar i 150 vjedhjeve në kryeqytet, 4 prej tyre, gjatë ditëve të fundit. Gjatë kontrollit në një garazh në pronësi të shtetasit Altin Hyseni, policia ka gjetur dhe sekuestruar 2 motomjete dhe pjesë motomjetesh. Policia njofton se po punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas duke përdorur të miturin. (A2 Televizion)