Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar në Porcari të Italisë, komunë e zonës Piana di Lucca. Katër anëtarë të një familjeje shqiptare me origjinë nga fshati Gryksh i Peqinit humbën jetën si pasojë e një rrjedhjeje monoksidi karboni, që dyshohet se është shkaktuar nga një defekt i kaldajës në banesën e tyre.
Viktimat janë identifikuar si, kryefamiljari Arti Kola 48 vjeç, bashkëshortja Jonida Kola 43 vjeçe, djali Hajdar Kola 22 vjeç dhe vajza Xhesika 15 vjeçe. Alarmin e parë për tragjedinë e dha vëllai i kryefamiljarit, pasi nuk po i përgjigjeshin në telefon, më pas ai njoftoi karabinierët. Policia u detyrua të thyejë derën dhe sapo hynë brenda u përballën me një skenë dramatike, me katër trupa të pajetë të shtrirë në tokë. Pak më vonë, edhe vëllai i kryefamiljarit humbi ndjenjat për shkak të gazit, por u shpëtua në kohë dhe u transportua me urgjencë në spital, shkruan A2 CNN.
Edhe karabinierët, të cilët mbërritën në vendngjarje për të dhënë ndihmën e parë, u intoksikuan lehtë, por nuk janë në rrezik për jetën. Gjatë ndërhyrjes, ekipet e shpëtimit gjetën tryezën të shtruar, që tregon se familja ishte përgatitur për të konsumuar darkën. Në vendngjarje mbërriti edhe kryetari i bashkisë së Porcarit, i cili shprehu tronditje dhe keqardhje për një tragjedi që godet të gjithë komunitetin e këtij qyteti të vogël.
Hetuesit së bashku me zjarrfikësit po vijojnë hetimet për të zbuluar nëse kaldaja ishte instaluar siç duhet dhe nëse i ishte nënshtruar kontrolleve të parashikuara nga ligji. Familja Kola jetonin prej kohësh në komunën e Porcarit. Kryefamiljari Arti Kola ishte punëtor në një kompani që merrej me lyerje, ndërsa Jonida Kola, gruaja ishte shtëpiake. Djali i tyre, 22 vjeçar punonte si elektricist në një kompani private, ndërsa Xhesika, vajza, ishte në shkollë. (A2 Televizion)