Kryetari socialist i bashkisë së Kolonjës, Erion Isai është paraqitur mëngjesin e sotëm në dyert e Prokurorisë së Posaçme.
I pyetur nga gazetarët e pranishëm se për çfarë është thirrur në SPAK, Isai teksa kalonte derën u përgjigj: “Kur të dal, s’e di”.
Pasi doli nga SPAK, Isai tha se para prokurorëve dha sqarime shtesë në lidhje me çështjen që po hetohet për vitin 2023. Por, A2 mëson nga burimet se ndaj tij ka një tjetër kallëzim për pabarazi në tendera, shpërdorim detyre dhe korrupsion.
Kallëzimi për të cilin Isai është paraqitur në SPAK është bërë nga avokati Esmerald Xhafa dhe lidhet me tenderin për “rikonstruksionin e digës së rezervuarit të Gjonçit dhe ndërtimin e pritave malore në fshatrat e Bashkisë Kolonjë viti 2023” dhe procedurën e prokurimit “rikonstruksion i linjave të jashtme dhe të brendshme të rrjetit të ujësjellësave të fshatit Borovë,Taç dhe Mësiçkë, Bashkia Kolonjë”.
Kujtojmë se në maj të vitit 2023, Isai ishte marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme për një tender rruge, çështje për të cilën ishte kallëzuar asokohe. (A2 Televizion)