Shisnin kokainë e kanabis pranë një shkolle, arrestohen dy shpërndarësit

Nga A2 CNN
15 Janar 2025, 09:46 | Kronikë

Dy persona janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi u evidentua se shpërndanin lëndë narkotike të llojit kokainë dhe kanabis, në afërsi të një shkolle.

“Komisariati i Policisë Nr. 3, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në inteligjencën informative për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Interruption".  Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit: D. D., 40 vjeç dhe P. G., 28 vjeç, të dy banues në Tiranë”, njofton policia.

Nga veprimet hetimore rezulton se drogën e fshihnin në ambientet e një lavazhi në përdorim nga 40-vjeçari. Policia gjatë këtij operacioni sekuestroi 220 doza kanabisi dhe 20 doza kokaine, gati për shitje.

“Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasve D. D. dhe P. G., kontrollit në ambientet e lavazhit dhe të banesës së shtetasit D. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 220 doza kanabisi, 20 doza kokaine, 1 armë të ftohtë (thikë), shuma parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, 2 peshore elektronike dhe 2 celularë”, informon policia.

Sakaq, uniformat blu proceduan në gjendje të lirë një 19-vjeçar me inicialet K. L., pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lëndë e dyshuar kanabis, të cilën dyshohet se ia kishte blerë shpërndarësit 40-vjeçar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos