Rrëfimi i të penduarit,  Dumani përmend ish-ministrin dhe listën me 10 “shenjestra'

Nga A2 CNN
14 Janar 2025, 18:48 | Kronikë

Përmendja e një ish-ministri drejtësie, por pa i thënë emrin, nga ana e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani në seancën e kaluar në Gjykatën e Posaçme ka ngjallur reagim të fortë të avokatëve të të pandehurve të tjerë të dosjes “Plumbi i artë”.

Në seancën e së martës, që vijoi të zhvillohet me dyer të mbyllura, Dumani është ripyetur nga prokurorët e SPAK, në lidhje me lirimin e tij nga burgu disa vite më parë. Sipas burimeve, Dumani ka pohuar se ka fituar lirinë, përmes një raporti të Mjekësisë Ligjore, të marrë kundrejt ryshfetit prej mijëra eurosh.

I penduari ka pohuar se raportin e ka marrë përmes ndërmjetësimit të avokatit Alban Bengasi, aktualisht i dënuar, te një person rreth i afërt familjar i ministrit të drejtësisë së kohës, Nasip Naço.  

Po ashtu gjatë dëshmisë së tij, Dumani ka rrëfyer se Erion Alibej, aktualisht i penduar i drejtësisë, i kishte dhënë një liste me 10 emra për t’i eliminuar fizikisht, pas dyshimeve se ishin përfshirë në vrasjen e vëllait të tij në masakrën e Bradasheshit.

Në këtë listë, Dumani ka pohuar se ishin ndër të tjerë Emiliano Ramazani, Talo Çela, Altin Ndoçi, Franc e Hajdar Çopja e Besmir Haxhia.

Sipas Dumanit, për të mbajtur në vëzhgiml ëvizjet e Emiliano Ramazanit kanë përdorur një instruktore palestre. Seanca e radhës e procesit ndaj të akuzuarve të dosjes “Plumbi i artë” do të mbahet të enjten.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos