Edhe në seancën e parë me trupën e re gjykuese, mbrojtja e kryebashkiakut të Tiranës ngriti sërish shqetësimin se Erjon Veliaj nuk është njohur plotësisht me dosjen. Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, por avokati Plarent Ndreca deklaroi se 24 fashikuj nuk i janë vënë ende në dispozicion në paraburgimin e Durrësit, ndërsa mungojnë edhe provat dixhitale të dosjes.
Ndërsa prokurori i SPAK, Ols Dado kundërshtoi pretendimet e avokatit të Veliajt për mungesën e akteve. Sipas prokurorit, fashikujt që lidhen drejtpërdrejt me Veliajn janë dorëzuar fizikisht, ndërsa aktet e tjera janë pjesë e procedimit, por nuk i përkasin të pandehurit. Për provat dixhitale, Dado tha se do të hapen dhe shqyrtohen gjatë procesit, shkruan A2 CNN.
Në gjyq nuk ishte e pranishme as bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa dhe avokatët e saj. Prokurori i SPAK, Ols Dado, kërkoi shtyrjen e seancës dhe pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn, me argumentin se mungesa e katër të pandehurve apo avokatëve të tyre po pengonte vijimin e procesit.
Kërkesa për pezullimin e afateve u kundërshtua nga avokati i Veliajt, i cili e cilësoi antikushtetuese dhe të pabazuar, duke argumentuar se mungesa e disa të pandehurve nuk mund të cenojë lirinë e kryebashkiakut të Tiranës, pasi ai kishte përfaqësim ligjor në sallë.
Por, gjykata vendosi të pranojë kërkesën e SPAK për pezullimin e afateve të paraburgimit ndaj Veliajt dhe shtyu seancën për në datën 10 qershor, në orën 11:30, ku GJKKO do të shprehet mbi kërkesat e mbrojtjes së Veliajt për t’i vendosur në dispozicion 24 fashikujt dhe provat dixhitale. Edhe në gjyqin e sotëm, GJKKO nuk lejoi kamerat të qëndrojë gjatë gjithë kohës në sallë për transmetimin e seancës live, me argumentin se prania e tyre ndikon në mbarëvajtjen e procesit gjyqësor. (A2 Televizion)