Gjykata Kushtetuese shtyn për të enjten diskutimin për ankimin e Sali Berishës për interpretimin e ligjit që çoi në dhënien e masës së arrestit në shtëpi kundër tij nga ana e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjykata e Posaçme kishte vendosur me kërkesë të SPAK masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim dalje jashtë shtetit”, për kryetarin e Partisë Demokratike, i cili po hetohet për korrupsion.
Berisha nuk e zbatoi këtë masë me arsyetimin se SPAK do të duhej të merrte autorizimin në Kuvend. Më pas SPAK iu drejtua Kuvendit për masë më të rëndë sigurie, “arrest shtëpie” dhe pasi mori autorizimin, masa u miratua nga Gjykata e Posaçme, Apeli i Posaçëm dhe Gjykata e Lartë.
Në kërkesën e tij, Berisha kërkon shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme, Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë”. (A2 Televizion)