Marshimi pas tubimit, policia procedon 16 protestues. Nën hetim 35 protestues brenda dy ditësh

Nga Igli Çelmeta
17 Qershor 2026, 15:15 | Kronikë

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 16 protestues, për marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit, pas fjalimeve te kryeministria në ditën e 17-të të tubimit.

Sipas policisë 16 protestues kanë nxitur me thirrje pjesëmarrësit që ta vijojnë tubimin përtej orarit të njoftuar në polici nga organizatorët prej orës 18:00 deri 22:00 duke mos respektuar perimetrin e njoftuar për këtë tubim, shkruan A2 CNN. Si pasojë, është shkaktuar bllokim i qarkullimit të mjeteve dhe pengesë në lëvizje.

Ndërkohë policia ka shpallur në kërkim policor edhe dy protestues për t'u marrë në pyetje. Po ashtu, policia i akuzon edhe për prishje të qetësisë publike, pasi një pjesë e pjesëmarrësve në tubim janë futur në pjesën e fan zonës, në sheshin “Skënderbej”, të përshtatur dhe të destinuar për ndjekje të aktiviteteve sportive, duke prishur qetësinë publike dhe duke bërë thirrje qytetarëve që ndiqnin aktivitetin sportiv që t’i bashkoheshin tubimit.

16 protestuesit akuzohen nga policia për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”. Gjithashtu edhe dy ditë më pare policia nisi hetim penal edhe për 19 protestues të tjerë të cilët bllokuan autostradën Tiranë-Durrës dhe rrugën për në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos